Albanian Genetics, Anthropology and History Forum


    Nikaj e Mertur

    Share
    avatar
    Admin
    Admin

    Posts : 37
    Join date : 2015-02-18

    Nikaj e Mertur

    Post by Admin on Thu Sep 03, 2015 9:52 pm

    FISET NIKAJ E MERTUR

    Gjeneza,gjenealogjia,shtrirja teritoriale dhe demografike

    Burimi: Dodë Progni (Nga libri: Nikaj – Merturi )

    Rrethanat ekonomiko shoqërore që u krijuan për krahinat malore të Shqipërisë së veriut pas pushtimit osman të shek. XV çuan në formimin e disa njësive krahinore administrative dhe ekonomiko –shoqërore të vetëqeverisura sipas të drjtës zakonore,që do të përfshinin në gjirin e tyre një popullsi që ruante të forta lidhjet e fisnore. Dy nga këto njësi ishin Nikajt dhe Merturi,të cilat u formuan në një pjesë të teritorit të Pultit të Epërm,dhe që tradicionalisht jan quajtur “fise” ose “bajraqe”.Sot ata përbëjnë një krahinë gjeo-etnografike të quajtur Nikaj – Merturi.

    NIKAJT: Fisi i Nikajt përbëhet nga fshatrat: Lekbibaj,Peraj,Gjonpepaj,Currajt të Poshëm,Curraj të Epërm (bashkë me Qeresh dhe Kuq). Shtrihen nga bregu i djathtë i lumit të Mërturit dhe lumit të Kuqit në lindjë e verilindje,deri në malin e Kaponit,qafën e T’thermes,Gurin e Fushës së Madhe e qafën e Ndermajnës në prendim e veriprendim,për të vazhduar në veri me bjeshkët e Kakisë,qafën e Boshit,majen e Zezë e deri në shtegun e Dashit. Në jug, trojet e Nikajt hyjnë si pykë në mes të fshatrave Palç dhe Tetaj që i përkasin fisit të Merturit.Deshmitë arkeologjike tregojnë se kjo hapësirë gjeografike që sot i përket fisit të Nikajt, ka qenë e banuar qysh në kohën e bronzit të vonë,rreth 1200 – 1000 vjet para Krishtit.1) Dëshmohet gjithashtu se, dhe në periudhën e mesjetës këto gryka e shpate alpine kan qenë të banuara nga shqiptarët. Këtu edhe sot ruhen rrënojat e disa kishave,varreza ose toponime që lidhen me banorët paraardhës të Nikajt. Ndër më të njohurat janë: Kisha e Vargut dhe varrezat pranë saj,siç thuhet në dokumenta “qytezë e seli ipeshkvnore” e Pultit.2) Kisha e Luzajës në Curraj të Poshtëm, edhe kjo “ish seli ipeshkvnore”3),varrezat në lagjen Susaj të Lekbibajt,rrënojat e kishës dhe varrezat e vjetra në Paplekaj,kisha dhe varrezat e Shiokut në Gjonpepaj,varrezat e Mavriqëve në Kalbs e Marin,këndej e andej lumit të Currajt etj.4) Banorët e Nikajt janë të bindur se këto varreza nuk u përkasin brezave paraardhës të fisit të tyre,por një popullsie tjetër që s’kishte lidhje gjaku me ta. Megjithatë Nikajt i kan ruajtur e adhuruar si vende të shenjta me bindjen se ato i përkisnin një popullsie shqiptare të besimit kristian. Betimi në kishën e Vargut,të Paplekajt ose të Luzajës ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme për banorët e Nikajt. Deri në kohët e vona, këto kan qenë vende tubimesh dhe të betimit tradicional të përvitshëm që bënin fshatarët e Currajt të Poshtëm,Lekbibajt,Gjonpepajt etj. Nga burimet dokumentare sllave,osmane dhe të kishës katolike të shek.XIV – XVIII mësojmë se gjatë kësaj periudhe në teritorin e Nikajt të sotëm shqiptarët formuan disa fshatra,për të cilat dokumentët shpesh herë përdorin termin “katund.” Pavarësisht nga termi,katundet në malësitë tona kan patur kuptimin e ngulimeve të banuara bujqësore e blegtorale dhe jo të organizatave blegtorale endacake,siç është përpjekur t’i klasifikojë ndonjë “studiues” serbo-sllav për qellimet e tij të mbrapshta raciste.5) Katundi i Nikajt del i formuar qysh në vitin 1330.6) Përseri në vitin 1485 përmendet “Nikijtë” me 7 shtëpi dhe në vitin 1582 pa shenuar numrin e shtëpive. Ndërsa në vitin 1628,1671 e në vazhdim,deri në fund të shek XVIII,po në këtë teritor del i formuar katundi me emrin “Nikagni = Nikajni” (Nikaj).7)Luzaja gjithashtu përmendet katund që në vitin 1335 ,dhe më pas,po ky, në vitin 1529 me 30 zjarre 9),për të vazhduar deri në vitin 1634 kur del së fundi me 8 shtëpi e 40 frymë të krishtera.10) Kuqa në vitin 1582 11),prej të cilit ka marr emrin lagjja Kuq në Curraj të Epërm,Zhush me 1485 12)(sot Nërzhush – Lagje e fshatit Lekbibaj),Varku me 20 shtëpi në vitin 1529 – 3413),dhe në vitin 1628 del përsëri,por” i bragtisur si fshat dhe i shkatërruar si manastir”.14) Pjaja e Mavriqit me 1634,fshat me 25 shtëpi dhe 220 frymë,15),i cili vazhdoj të ekzistojë kryesisht në Curraj të Epërm,fqinj me Nikaj,deri në vitin 1774.16)Të gjitha këto fshatëra që shtriheshin në teritorin e Nikajt të sotëm,kan patur lidhje të ndryshme me fisin e Nikajt,por vendformimi i Nikajt mundë të kërkohet vetëm tëk Nikijtë ose Nikajni. Edhe pse shumë të ngjajshëm këta emra,siç do ta shohim, kan ndryshim thelbësor nga njëri-tjetri. Arsya pse duhen kerkuar Nikajt këtu eshtë fare thjeshtë.Së pari,këta dy emra janë patronimik,të formuar nga një emër njeriu që quhej “Nikë – Nika”. Së dyti,vendodhja e tyre është përcaktuar diku brenda teritorit të Nikajt të sotëm. Në kërkim të gjenezës së fisit Nikaj është thënë se, “fisi i Nikajt u formua prej shtimit të mëvonshëm të katundit të Nikijve që përmendet në dokumentat osman të vitit 1485 dhe ngulitjes së tij në një teritor të banuar rishtaz.17) Mendojmë se kjo nuk është zanafilla as rruga e formimit të këtij fisi. Siç u tha më sipër,katundi Nikijtë dokumentohet i formuar në Pult qysh në vitin 1330,çka do të thotë se kryepari i Nikajve – Nika,duhet të ketë jetuar disa 10-vjeçar përpara vitit 1330,dmth. rreth 700 e ca vjet më parë. Prej këtej del se nga kjo kohë e deri sot duhet të kishin lindur së paku 23 breza. Mirpo nga pema genealogjike,punuar me saktësi nga Franc Nopçe në vitin 190818)dhe nga hulumtimet tona për zgjatjen e kësaj peme deri tek brezi më i ri i sotëm del se asnjë vëllazëri e Nikjat,nuk arrin më shumë se 15 breza pa u bashkuar me Nikën,të parin e fisit Duke llogaritur me nga 30 vjet çdo brez,del se Nika – Ati i par i fisit Nikaj,duhet të ketë jetuar rreth viteve 1500 – 1550. Ndërsa për t’u bashkuar me “Nikën” e Nikijve do të duheshin së paku 23 breza. Mundë të jetë koiçidencë interesante emri i njejtë, dhe fakti se Nika,nga i cili u formua fisi Nikaj qe vendosur pikërisht në teritorin e Nikijve të mëparshëm,por nuk është e mundur që ky të ketë patur lidhje gjaku me Atin e parë të Nikijve,edhe pse ai quhej Nikë. Siç u tha më sipër ky kish jetuar shumë kohë përpara vitit 1330. Për rrjedhoj as Nikajt e sotëm nuk janë pasardhës te Nikijve,të cilët përmenden së fundi në vitin 1582. Atëherë lind pyetja cili ishte,nga erdhi e kur erdhi ai Nikë që u bë kryepari i fisit Nikaj,ose Ati i par i fisit Nikaj ? Në Nikaj e Krasniqe ka qarkulluar gojdhëna se,Nikajt dhe Krasniqja janë fise vëllezër. Madje thuhet se kan lidhje gjaku me fisin shqiptar të Hotit dhe me Vasojeviqët e Malit të Zi. Sipas kësaj gojdhëne,vëllezërit Kras Keqi,Nikë Keqi dhe Vasë Keqi kan qenë etërit e parë të fiseve Krasniqe,Nikaj dhe Vasojeviq. Madje në ndonjë varian këta vëllezër jan quajtur: Krasoviqi,Nikoviqi dhe Vasoviqi. Për t’i shpëtuar valës asimiluese sllave,dy të parët u larguan nga vendlindja dhe u vendosën në Dushaj të Epërm,që gjendej në anën e majtë të lumit Valbona,pranë fshatit të sotëm T’pla të Krasniqes. Vasojeviqët që qëndruan në Mal të Zi,u bënë ortodoksë dhe u sllavizuan. Krasniqët ruajtën kombësisnë shqiptare, por në shek. e XVIII u islamizuan. Nërsa Nikajt, që u shkëputën nga Krasniqja,për t’u vendosur në trojet e tyre të sotme, ruajtën kombësinë shqiptare dhe fenë e vjetër katolike. Vërtetësia e kësaj gojdhëne është e dyshimtë nga fakti se emri “Krast” nga rrjedh emri Krasniqe nuk mundë të përcaktohet as niset nga një antroponim “Krast”,siç thotë tradita e vendit kur përmend Kras Keqin,por nga fitonimi “hrasto” që në sllavisht do të thotë “dushk” - “lisnaj,bungajë”.19) Ajo çka duhet pranuar si e verteta më e rëndësishmë është pohimi i Prof. Eqerem Çabejt se “te tre këto fise janë me origjinë shqiptare”20),dhe s’kemi asnjë arësye të besojmë se te parët e Nikajt dhe të Krasniqes ishin Nikoviqi dhe Krasoviqi. Rreth formimit të fisit Nikaj dhe lidhjeve të tij me Krasniqe ka një tjetër traditë gojore që njihet e besohet më shumë se e para. Sipas saj,i pari i Nikajve ka qenë Nikë Mekshi. Ky ishte vëlla me Kolë Mekshin, nga i cili u formuan Kolmekshajt e Krasniqes, që etnografisht përfshijnë fshatrat:Shoshan,Koçanaj, Dragobi,Bradoshnicë,Degë,Murataj, e gjysmën e fshatit Margegaj.21) Për këtë arësye Nikajt me Krasniqe,veçanarisht me Kolmekshaj, nuk lidhin martesa midis tyre. Në të vertetë,vëllazëritë e Kolmekshajt nuk numrojnë më shumë se 15 – 16 breza nga brezi më i ri i sotëm,deri tek Ati i parë i tyre,Kolë Mekshi,vëllai i Nikë Mekshit. Madje vëllazëritë Qokaj e Vukaj të fshatit Shoshan,që i përkasin Krasniqes,i lidhin brezat e tyre me Qokajt e Vukajt e Currajt të Epërm – fis Nikaj,në brezin e 11 – 12 .22) Metaliajt e Dragobisë – fis Krasniqe,nuk shkojnë më shumë se 10 – 11 breza,pa u bashkuar me vllazëritë e Currajt të Epërm. Duke i njohur mirë këto lidhje,At Shtjefën Gjeçovi,në vitin 1917,i ka quajtur dragobijësit “Currajt e Dragobisë”23) Mbi lidhjet farefisnore të Nikajt me Krasniqe hedhin dritë edhe studimet antropologjike. Fran Nopçe dhe Edith Durham thonë se,në pikëpamje antropologjike “Nikajt shkojnë në ndryshim me shumë fise të Shqipërisë së Veriut” si Mertur,Shalë,Shosh,Toplanë,Mirditë,Pukë etj.24) Po kështu antropologu ynë i njohur Aleksandër Dhima i grupon Nikajt në tipin antropologjik të Masësisë së Vogël,së bashku me Krasniqe Gash etj.25) Përfundimi më i besueshëm që del nga këto të dhëna është se,Ati i parë,nga i cili u formua fisi i Nikajt,ka qenë Nikë Mekshi. Ky pasi u nda nga i vëllai Kolë Mekshi u largau nga Krasniqja dhe u vendos diku në teritorin e Nikajt të sotëm. Për të përcaktuar kohën dhe vendin ku e kishte zanafillën fisi i Nikjat,po u kthehemi përsëri burimeve dokumentare të shek.XIV – XVII. Kemi argumentuar më sipër se si fisi i Nikajt nuk identifikohet me katundin Nikijtë,që dokumentat serbë e përmendin të formuar qysh në vitin 1330. Ndërsa Nikë Mekshi,Ati i parë i fisit Nikaj,ka jetuar së paku dy shekuj pasi qe formuar katundi Nikijtë. Më i pranueshëm do të ishte mendimi se fisi i Nikajt e ka zanafillën në katundin Nikagni (Nikajni),të cilin relatori Don Vincenti,në vitin 1628,e shenon në Pultin e Epërm,sipas renditjes: Brisë,Salcë,Palç,Nikajni (Nikaj-D.P.),Zhush,Luzajë,Blake ,Rajnë,Gashë,Krasniqe etj. Ndërsa në relacionin e Gjeç Bardhit,të vitit 1634,hidhet dritë edhe mbi vendnnodhjen e Nikjat kur thuhet se, “kisha e Bjakes është vetëm 6 milje (9.6 km) larg Nikjat.26)Bjakja e asaj kohe ishte katund me 20 shtëpi e 230 frymë, i vendosur “në një teritor të pyllëzuar me gështenja.”26) Bëhët fjalë për fshatin e sotëm Tetaj. Në këtë rast dokumenti përputhet më traditën gojore e cila thotë: “Trojet e para të Nikajt kan qenë në Paplekaj të Epër.”27) Distanca midis kishës së Paplekajt të Epërm dhe kishës së Bjakes në Tetajt e sotëm,për të cilën flet dokumenti, është rreth 9.6 km. Afërsisht në të njejtin vend i lokalizon Nikajt edhe Shtjefën Gaspëri në vitin 1671,kur thotë se, “Nikaj e Bjake janë shefitar të damun prej një lumi të vogël”.28)Por distancën midis kishës së Shnaprendes në Bjake dhe dhe Nikajt,ai e përcakton 9 milje (14.5 km). Si duket,ka patur parasyshë distancën midis kishës së Bjakës dhe asaj të Shiokut në Gjonpëpaj,ose të një vendi tjetre më sipër ku mundë të ishin çvendosur Nikajt përkohësisht për arësye lufte,sepse në të njejtin relacion,me 1671,ky autor thotë: “Katundi i Nikajt ishte rrenue e grabit prej turqve pak përpara dhe gjendej në një varfëri të madhe.”29)Ardhja e familjes së Nikë Mekshit nga Krasniqja dhe vendosja në Paplekaj të Epërm,ku zë fill fisi i Nikajt,duhet të ketë ndodhur, së paku, disa dhjetëveçar përpara vitit 1628,pasi në vitin 1628 ata kishin arritur të formojnë një katund me emrin e kryeparit të tyre,Nikë – Nikaj. Burimet dokumentare të shek.XVII – XX provojnë se Nikajt nuk kan lëvizur nga krahina me përjashtim të rasteve sporadike,kur individë ose familje të veçanta,për arësye të forta si gjakmarrje etj. janë detyruar të emigrojnë jashtë fisit,për t’u vendosur gjithnjë brenda trevave shqiptare. Nga ana tjetër në asnjë rast nuk del se gjatë kësaj periudhe,rreth 400 e ca vjeçare të ketë ardhur ndonjë grup popullsie dhe të jetë vendosur me banim të përhershëm në teritorin e fisit Nikaj. Edhe lagjja Kapit afër Gjonpepajt,siç pohojnë disa studiues,kan ardhur nga Vajushi i Shkodrës përpar Nikjat,reth vitit 1416-1500. Pas ardhjes së Nikajt dhe rritjes së tyre, shumica e kapitësve u detyruan të largohen për në Guci ku jetojnë edhe sot.30) Ajo pjesë e vogël që nuk u largua bashkjeton prej shekujsh në harmoni e mirëkuptim me Nikajt,falë lidhjeve të kumbarisë me fqinjtë më të afërt,Peraj e Gjopepaj,dhe lidhjeve martesore me vëllazëritë tjera të Nikajt. Gjtaë shek. XVII – XVII,Nikajt,si gjithë banorët e tjerë të Pultit, kaluan veshtirësi të panumërta. Gjendjes tepër të rëndë ekonomike i shtohej dhe lufta e vazhdueshme kundër ekspeditave ndëshkuese të feudalve osmanë,që vinin me forca të shumta ushtarake për të vrarë,plaçkitur e nenshtruar malësorët e pabindur. Megjithatë Nikajt nuk u nenshtruan,as nuk u shpërngulën nga trojet e veta,po qëndruan në mbrojtje të tokës,lirisë,dokeve e zakoneve shqiptare dhe fesë së tyre katolike. Ata u rritën,u fuqizuan dhe u bënë njëri nga fiset e bajraqet e njohura të malësisë së veriut. Nga një katund – fis,Nikajt,me 35 shtëpi e 300 frymë që ishte në vitin 1671 31)pas 100 vjetësh,në vitin 1771,arrijnë në 119 shtëpi me 849 frymë.32) Por tashmë “fis” në kuptimin e njësisë së vetëqeverisur,që dallohej nga fqinji i vet kryesor Merturi,pasi,siç thotë Gjon Logoreci me 1771, “Nikajt janë fis tjetër dhe rrjedhin nga gjak të ndryshëm me ata të Palçit dhe të Salcës...”33),fis Mertur. Kjo bëhet akoma më qartë në vitin 1775,kur Nikajt ndahen nga Palçi e Salca edhe në pikëpamje dioqeziane,duke formuar famullinë e parë të Nikajt.34) Rreth viteve1867 – 1870 Nikajt kishin 240 shtëpi me 2369 frymë. Dhe midis viteve 1905 – 1910 bëhen më 266 shtëpi dhe 2400 frymë,për të arritur në 320 shtëpi në vitin 1917.35) Për t’u theksuar është fakti se, procesi i rritjes së popullsisë u shoqërua me ruajtjen e vazhdueshme dhe të fortë të kujtesës kolektive për lidhjet e gjakut midis fshatrave,vëllazërive,barqeve,familjeve dhe gjithë anëtarve të fisit. Në traditën thuhet se,rritja e fisit Nikaj është bërë nga shtimi i barqeve të tre nipave të Nikë Mekshit,djemve të Bibë Nikës: Lekë Bibës,Kolë Bibës,dhe Mark Bibës. Prej këtyre u formuan tre “këmbët” (degët) kryesore të fisit Nikaj. Dega e Lekë Bibës,i madhi nga vëllezërit, nga Paplekaj i Epërm,u zgjërua më në jug,në Paplekaj të Poshtëm,si dhe në fshtarat e hershëm Zhush (sot Ndërzhush) dhe Varg,duke formuar një fshat të vetëm me emrin e Lekë Bibës (Lekbibaj). Lekbibajt përbëhen nga dy vëllazëritë e mëdha: Nikprendaj (nga Nikë – Prend – Lekë – Biba) dhe Paplekaj nga (Papë – Lekë – Biba ). Dega e vëllait të dytë Mark Bibës u teritorializua në veri e verilindje të ngulimit fillestar “Paplekajve të Epër”,ku u formuan fshatërat: Peraj dhe Gjonpepaj. Nga pasardhësit e Per Kolë Bibës u formua fshati Peraj.Ndërsa nga ata të Gjon Pepë Kolës u formua fshati Gjonpepaj. Dega e vëllait të vogël,Mark Bibës,u zgjerua në lindje e verilindje të fisit,në një hapësirë më të madhe gjeografike se dy të parat,duke përfshirë Currajt e Poshtëm dhe Currajt e Epërm. Midis viteve 1634-1670,kjo degë u shtri në fshatin e vjetër Luzajë. Me shtimin e barqeve e familjeve,rreth viteve 1660 – 1670 ,tri shtëpitë e para të kësaj dege u ngjitën me banim në Curraj të Epërm,ku jetonin Pjajët e Mavriqit.36) Nga pasardhësit e Mark Bibës që populluan Currajt e poshtëm dhe Currajt e Epërm,u formuan dy vëllazëri të mëdha: Nikbibaj dhe Prebibaj që rridhnin nga Nikë Bibë Marku dhe Prend Bibë Marku. Siç kemi thënë më sipër,fillimisht emrin Nikaj e mbante vetëm një katund,banorët e të cilit kishin lidhje gjaku në mes tyre dhe rridhnin nga një At i përbashkët që quhej Nikë Mekshi. Me rritjen e popullsisë së Nikajt dhe shtrirjen e tyre jashtë teritorit të katundit fillestar,emrin “Nikaj” nuk mundë ta trashegonte vetëm një vëllazëri ose katund i këtij fisi. Të gjitha vëllazërtë e katundet që u formuan kishin lidhje të barabartë me Atin e tyre të përbashkët – Nikën. Prandaj,emri i tij nuk mbeti në një katund të vetëm,por u bë emri i përbashkët i gjithë fisit. Në fillim të shek. XIX numri i shtëpivë sipas vëllazërive kryesore ishte: Peraj:50 shtëpi,Gjonpepaj:32 shtëpi,Nikprendaj:40 shtëpi,Paplekaj:30 shtëpi,Nikbibaj:50 shtëpi dhe Prebibaj: 30 shtëpi.37) Nga dokumentat e kohës del se historia e formimit dhe zhvillimit të fisit Nikaj,në pikëpamje numerike dhe teritoriale, ishte e gjatë dhe e vështirë. Për shmëvite Nikajt jetuan fqinj me popujt e luzajës, Pjajës së Mavriqit,Vargut, Zhushit,Kapitit etj. Rritja epopullsisë së Nikajt dhe të tjerve krijoi ngushtësi ekonomike për të gjithë. Sipërfaqja e tokave të punueshme dhe kullotave ishte mjaft e kufizuar. Kjo bëri të pamundur vazhdimin e fqinjësisë së mirë dhe bashkjetesën e Nikajt me banorët që nuk i përkisnin këtij fisi. Në këto rrethana dikush do të largohej dhe dikush do të qëndronte.Nikajt,të rritur numerikisht,që ruanin të forta lidhjet e gjakut,të organizuar dhe të vetëqeverisur në bazë të së drejtës zakonore,dominuan mbi të tjerët. Kështu në vitin 1582,në Varg kishin mbetur vetëm 4 shtëpi,të cilat do tëlargoheshin deri në vitin 1628,kur Vargu del i pabanuar.38) Më pas largohen dhe Luzajët duke u liruar vendin pasardhësve të Mark Bibës. Deri në vitin 1771 Pjajët e Mavriqit “njerëz shumë të mirë por pa kurrfarë farefisnie as lidhje gjaku më Nikaj”,39) - siç thuhet në një dokument,”kan ikur në shpatet e larta të maleve” sepse u binin në qafë Nikajt.40) Gjatë vteve 1773 – 1774 Pjajët e Mavriqit,pas një zije buke largohen përfundimisht edhe nga Currajt e Epërm,41) duke lënë prapa vetëm toponimet si Vada e Mavriqit,Vorret e Mavriqit,Përroi i Gjo Velit,ara e Gur Dodës,Lumi i Pjasë,Pusterri i Pjasë etj. që lidhen me këta banorë të etnisë shqiptare dhe të besimit katolik.42) Lidhur me shpërnguljet e këtyre banorve të hershëm,është rasti të vihet në dukje fakti se,popullsia e fiseve Nikaj e Mertur,me ndonjë përjashtim të rrallë,siç ishte rasti me mavriqët,nuk ruan ndonjë kujtim të përpjekjëvë më armë midis tyre dhe banorve të hershëm të kësaj treve. Bashkjetesa u vendos në mënyrë paqësore,pasi të dypalët,të fisit dhe anas ishin shqiptar,me gjuhë, tradita e kulturë të përafërt. Mbi të gjitha ishin bashkluftëtar kundër të njejtit armik,turqve pushtues. Megjithatë,për shakqe që u cekën më sipër,shumica e popullsisë së hershme si luzajët,pjajeshët,mavriqët, blakçorët e një pjesë e kapitësve u larguan në drejtim të trojeve shqiptare të Rrafshit të Dukagjinit,Kosovës etj. Shkuan andej nga kishin ardhur shekuj më parë gjysh-stërgjyshërit e tyre. Për këto migrime shqiptarësh mjaft sakt e bukur është shprehur albanalogu i njohur F.Pukëvill kur thotë: “Ky popull fatosash që aq shumë kje i shtërnguem të gjejë strehë ndër malet e veta të papërshkueshme,për të ruajtur lirinë e vet,vrote së nalti perandoritë që lindshin e disshin,për të zbritur mandej me rifitue tokën e bragtisun”.43) Për zgjerimin e teritoreve,veçanarisht për bjeshkët,ka patur raste që Nikajt kan hyrë në konflikte edhe me fiset fqinj – Mertur dhe Shalë. Me këta të fundit konfliktet kan qenë më të gjata dhe më të ashpëra. Shala zotëronte pothuaj të gjitha bjeshkët e sotme të Nikajt. Për t’i fituar deri në kufnjtë e sotëm që ndajn Shalën nga Nikajt është dashur shumë kohë. Janë zhvilluar bisedime, janë marr dhe pleq për të argumentuar secila palë të drejtën e vet mbi bjeshkët,por është derdhur edhe gjak.Ky konflikt i gjatë e i dhimshëm u mbyll vetëm në shek. e XIX,pas një përpjekje të armatosur midis dy fiseve,në afërsi të qafës së Ndërmajëns ku mbeti i vrarë bajraktari i Shalës,pikërisht në vendin e quajtur “Kryqi i Bajraktarit”. Në lartësinë 1580 m ku ra bajraktari u vendos edhe “kufri” midis Nikajt dhe Shalës. Sipas kanunit të maleve ky është quajtur “kufi gjaku” 44) Gjatë shek. XIX fisi i Nikajt konturohet qartë të pikëpamje teritoriale dhe organizative brenda kufijve të sotëm,duke u bërë fis i njohur e me peshë ndër fiset e bajraqet e Malësisë së Gjakovës. Ky luan rol të rëndësishëm në luftërat çlirimtare kundër pushtuesve osmanë gjatë fundit të shek të XIX e fillimit të she. XX. Rritja e popullsisë dhe shtimi i barqeve çoi në formimin e vëllazërive tjera më të vogla që ishin degëzime të vëllazërive të mëdha. Kryeparët e tyre ,prej të cilëve morët emrin këto vëllazëri ishin pasardhës të vëllezërve Kolë,Lekë dhe Mark Biba.Përgjithësisht vëllazëritë e reja trasheguan tokat e punueshme dhe kullotat e të parve të tyre. Kjo ka bërë që bashkësia teritoriale,fshti apo lagjja,në shumicën e rasteve,të jetë e përputhur me bashkësinë fisnore. Të grupuara sipas fshatrave,deri në vitet 50 – 60 të shek XX,vëllazëritë më të njohura të fisit Nikaj ishin: Në fshatin Peraj: Gjonpalaj,Përpalaj,Marticamaj, Neçaj,Përvataj dhe Kolbuçaj. Në fshatin Gjonpepaj: Dakaj,Doçaj,Gjergjndreaj,Marvataj,Ndrepepaj dhe Stakaj.45) Kapiti që shkon me Gjonpepaj përbëhet nga vëllazëritë: Niklekaj dhe Dedaj. Në fshatin Lekbibajaplekaj,Pecnikaj, Imerajt,Rosaj,Susaj Meshaj dhe Aliaj.46) Në Curraj të Poshtëm:Nikmartinaj,Hasmartinaj dhe Zhivanaj.Kjo e fundit është vëllazëri e mbathur fisit. Mendohet të këtë lidhje me popullsinë e hershme të Luzajës. Në Curraj të Epërm me rreth 100 shtëpi në vitin 1932 kishte këto vëllazëri: Përpepaj,Nikbibaj,Prebibaj,Mrishaj,Qokaj,Malndreaj ,Gecaj dhe Nrevataj. Mendohet se Ndrevatajt rrjedhin nga Pjajët e Mavriqit,pasi nuk kan lidhje gjaku me vëllazëritë tjera të fisit.47) Megjithse vëllazëritë e fisit Nikaj u rritën e u shpërndanë në një hapësirë gjeografike relativisht të madhe, familjet,barqet dhe individët e tyre i ruajtën brez pas brezi të forta lidhjet e gjakut,si brenda vëllazërive ashtu dhe brenda gjithë fisit. Shprehje ekëtyre lidhjeve është ekzogamia e rreptë e zbatuar në lidhjet martesore. Deri në vitin 1972,në tërë fisin e Nikajt,me 451 familje,nuk ka patur asnjë lidhje martesore brenda fisit.48) Në vitin 1990,fisi i Nikjat përbëhëj nga 911 familje (ekonomi më vete) dhe 3167 banorë,të ndarë sipas fshatrave: Lekbibaj me 235 familje dhe 849 banorë,Gjonpepaj me 195 familje e 638 banorë,Peraj me 181 familje e 630 banorë,Curraj i Epërm me 173 familje e 623 banor,Curraj të Poshtëm me 80 familje e 245 banorë dhe Qeresh e Kuq kishin 47 familje e 137 banorë.49) Krahasuar me fillimin e shek.XX kur fisi i Nikajt kishte 266 shtëpi (familje) dhe 240 banorë gjithsejt,del se gjatë 90 viteve të fundit numri i banorve është rritur 1.3 herë,ndërsa ai i familjeve 3.4 herë. Rritja kaq e madhe e familjeve të vogla prej 3-5 anëtarësh,nuk ishte vetëm pasojë e shpërbërjes së familjeve patriarkale. Kjo u diktua dhe nga ngushtësia ekonomike që solli kooperativizmi socialist i zbatuar në formën e vet më ekstreme gjatë viteve 1964 – 1990. Në shumë raste,ndarja e vëllait me vëllain ose e prindërve nga fëmijët dhe dalja si familje (ekonomi) më vete u bë që ata të përfitonin një copë toke (parcelë) më shumë,një “tufëz” bagëti më shumë,një derr më shumë,në ndonjë rast edhe për një rracion kafe (100 gram) më shumë,pasi këto ndaheshin për çdo familje dhe jo për frymë popullsie. Rendi ekonomiko-shoqëror i ashtuquajtur “socializëm” dhe kooperativizmi që përjetuan Nikajt në gjysmën e dytë të shek.XX,nuk arritën të çrrënjosin bindjet mbi lidhjet farefisnore të banorve,vëllazërive e fshatrave të këtij fisi. Siç tham më sipër, martesa brenda fisit nuk u lidhën,përjashtuar ndonjë rast shumë të rradhe pas vitit 1972. Emrat e vëllazërive të mëdha ose të vogla janë ruajtur si mbiemra të banorve që lindën e jetuan në Nikaj,dhe të atyre që për arësye të ndryshme, kryesisht ekonomike,u larguan nga krahina pas viteve 50 të shek. XX,për t’u vendosur në Cernicë,Llugaj,qytetin B.Curri e kudo tjetër brenda ose jashtë shtetit. Dhjetvjeçari i fundit i shek. XX është periudha e shpërnguljeve më të mëdha të popullsisë së Nikajt gatë tërë historisë shumëshekullore të këtij fisi. Ndryshimet demokratike të viteve 1990 - 2000,veçanarisht e drejta për lëvizjen e lirë të popullsisë ,krijuan mundësinë që afro gjysma e popullsisë së Nikajt të shpërngulen nga malet,për t’u vendosur në zonat fushore dhe në qendra urbane,kryesisht në qytetet Tiranë,Shkodër,Lezhë,Krujë,Durrës etj. Shmë banor nga Nikaj,në kërkim të një jete më të mirë,u larguan edhe nga Shqipëria.

    MERTURI: Ndër fjalët e para për Merturin po kujtojmë ato të Franc Nopçes,i cili rreth 100 vjet më parë,në njërin nga studimet e tij për fiset e Shqipërisë së Veriut thoshte: “Një nga fiset më të vjetra e më të rëndësishme të Malësisë së Vogël asht Merturi”.50) Ndërsa Edith Durham,duke dashur të nenvizojë një nga vlerat e veçanta të Merturit thoshte: “Në pemën fisnore për Merturin të hulumtuar nga Nopçe që të çojnë deri në vitin 1370,madje deri në vitin 1270,as në kohërat kur krahina ishte përfshirë në perandorinë Serbe,nuk gjejmë emra serbë në këtë pemë fisnore,dhe se është i tëri katolik”.51)Pohimet e këtyre autorve, të shquar për hulumtime e logjikë të shëndosh shkencore,shprehin qartë,sakt dhe bukur të vërtetën historike se,në “lisin fisnor” shumëshekullor të Mërturit,që nga rrënjët,tek trungu dhe degëzat e tij gjithmonë ka rrjedh gjak i pastër shqiptar. Nga studiues të ndryshëm,si dhe në traditën gojore thuhet se,Merturi e ka prjardhjen nga fisi i Berishës. Lidhur me këtë F.Nopçe,në vitin 1908,thotë: “Merturi u shkëput nga Berisha rreth 11 brezni më parë”52)Madje shton se,”Nikajt vazhdojnë t’i quajn merturësist berishaj”. 53) Nga pema gjenealogjike e Merturit,e cila në vitin 1908 paraqet 19-21 breza,mësohet se 6-7 brezat e parë i ka të përbashkët me Berishën,çka do të thotë se degëzimi i Merturit fillon e veçohet rrëth 200 vjet pas Berishës.Përndryshe mundë të thuhët se,historia e fisit Mertur fillon me Berishën.Trojet e para të Berishës ishin në fshatin Berishë të rrethit të Pukës,i cili edhe sot quhet “Berisha e Vendit”.Në traditën gojore thuhet se,Ati i parë i Berishës ishte Kojel Pogu (Kojel – Pog – Murr – Deti),i cili në fillim u vendos me banim tek shpella e Gralishtit. Ky kishte dy djemrendin dhe Gjonin. Nga shumimi i barqeve të tyre u formua fisi i Berishës me degëzimet e tij. Një pjesë e barkut të Gjonit u largua nga Berisha dhe u vendos në Malësinë e Gjakovës dhe Kosovë.54) Pasardhës të këtyre ka dhe sot në Tropojë. Janë të besimit mysliman,por trashegojnë nga paraardhësit mbiemrat “Kojeli” e “Berisha”. Një pjesë tjetër e berishajve lëvizi në drejtim të verilindjes. Kaloi Drinin dhe u vendos në brigjet e tij,përball Dardhës së Pukës,fqinj me Bytyç të Malësisë së Gjakovës,duke formuar një krahinë të quajtur “Berishë e Brigjeve”. Kjo përbëhët nga Rodogoshi,Rushtë-Shëngjergji dhe Visoça. Edhe këta janë të besimit mysliman. Berisha njihet si njëri nga fiset më të vjetra,më të mëdha,po dhe më të përhapura në Shqipërinë e veriut dhe Kosovë. Grupe popullsie qe ruajn edhe sot kujtesën e lidhjeve fisnore me Berishën ka në Aprripë të Keqë,Spaç, Porav,Gropa,Iballe,Dajç,Lohje të Malësisë së Madhe,Grudë,Ujmisht të Lumes,Ungrej e Konej të Fanit (Mirditë),në Rrjodh,Than e Plan (Pult),Postribë etj. Mjaft i përhapur është ky fis në Rrafshin e Dukagjinit,Kosovë etj.55) Degën më të madhe dhe më të njohur të berishajve të shkëputur nga trungu i hershëm e përbëjnë Merturi në Malësinë e Gjakovës,Merturi i Gurit dhe Aprripa e Gurit. Këta së bashku përbëjnë fisin Mertur. Për lidhjet gjenealogjike të fisit Mertur me Berishën ka mendime disi të ndryshme. Në njërin thuhet se, Berisha e Merturi rrjedhin nga dy vëllezër. Bërisha rrjedh nga Kojel Pogu (Kojel – Pog – Murr Deti).Ndërsa Merturi rrjedh nga Lekë Pogu (Lekë – Pog – Murr – Deti ).56) Sipas tjetrit, Berisha rrjedh nga Kojel Leka (Kojel – Lekë – Pog – Murr – Deti ). Ndërsa Merturi rrjedh nga Lekë Pogu i Prend Kojelit (Lekë – Pog – Prend – Kojel – Lekë – Pog – Murr – Deti ). Pra Ati i parë i Merturit,Lekë Pogu,ishte nip i Atit të parë të Berishës,Kojel Lekë Pogut.57) At Gjon Karma,në një studim për Merturin e Gurit,1940,përveç lidhjeve të Berishës me Merturin e Gurit,duke iu referuar traditës gojore,shpjegon edhe lidhjet e këtij të fundit me Merturin e anës së djathtë të Drinit,kur thotë: “Katundi i Merturit mbahet fis me Merturin e Përtedrines... Thonë se migj (axhë) e nip paskan pasë ardhë motit. Migja ngul në Berishë e nipi në Mertur (të Gurit-D.P.).Prej këtej,-vazhdon ai,- u hapën e dolën në katundet e Merturit të cilat njihen të njejtit fis me Mertur të Gurit e nuk martohen ndërveti. As me Berishë nuk janë martue deri vonë.” 58) Pavarësisht nga ndryshimet që verehen në traditën gojore rreth degëzimit fillestar Berishë – Mertur ,në të dy variantet pohohen lidhjet e gjakut midis tyre, si dhe përcaktojnë se,vendformimi i fiseve Berishë dhe Mertur ishte në anën e majtë të Drinit,në trevat e Dukagjinit mesjetar. Mbi prejardhjen e merturësve nga këto treva dhe lidhjet e tyre farefisnore me Berishë,Aprripë të Gurit dhe Mertur të Gurit hedhin dritë edhe disa të dhëna të studimeve antropologjike të kryera nga F.Nopçe, E.Durham dhe A.Dhima. Ky i fundit ka ardhur në përfundimin se, “banorët e zonës së Pukës duke përfshirë Berishën e Iballen,paraqiten me shtat mesatar e me tipare tjera të ngjajshme me ata të Merturit. Shala,Shoshi,Toplana dhe Merturi me prejardhje nga Dukagjini (i vjetër) kan një tip antropologjik”.59)Emri “Mertur” është një patronim i lashtë dhe jo emri i Atit të parë të fisit Mertur. E.Durham mendon se ky rrjedh nga një emër i vjetër romak “Merituri”,60) dhe gjendej aty ku është sot Mërturi i Gurit,në anën e majtë të Drinit,rrëzë malit të Çlumit. Këtu u vendos me banim Ati i parë i Merturit,Lekë Pogu. Pasardhësit e tij formuan një bashkësi fisnore e teritoriale,e cila mori emrin e vendit “Mertur” Në defterin osma të regjistrimit të tokave dhe popullsisë të vitit 1529 – 36 ,del i regjistruar për herë të parë fshati Mertur me 32 shtëpi,në Nahijen e Iballes të Sanxhakut të Dukagjinit.61) Gjatë shek XVI – XVII,Merturi,si gjithë Dukagjini, ishte pjesëmarrës i qëndresës së malësive kundër ekspeditave ndëshkuese turke dhe feudalëve vendas. Por,siç thoshte F.Bardhi me 1638, “këto male Sulltani kurrë nuk ka mujtë t’i shtrojë nën tiraninë e vet,megjithse vjet për vjet ka dërgue sanxhakbegët e vezirët e vet me 5,8, e 10 mijë ushtarë për të mujt me ja shtrue furisë së vet.” 62) Një barrë tjetër e rëndë për malësorët e këtyre anëve ishte renta feudale (haraçi),të cilin osmanët e përdornin edhe si mjet presioni për islamizimin e nënshtrimin e popullsisë katolike. Për këtë qellim osmanët e rritnin rentën nga viti në vit. Në vitin 1529 – 36,Merturi me 32 shtëpi kishte 1382 akçe (njesi monetare turke) detyrime. Ndërsa në vitin 1571,kur kishte 19 shtëpi,detyrimi arriti në 2565 akçe.63) Këto detyrime të papërballueshme si dhe ngushtësia ekonomike që vinte nga rritja e popullsisë në një hapësirë shumë të kufizuar toke të punueshme,detyruan shumë merturës të largohen. Një pjesë e mirë e tyre kaluan Drinin për t’u vendosur në teritoret e Pultit të Epërm,midis qafës së Agrit dhe qafës së Kolçit. Shpërngulja e parë e madhe duhet të ketë ndodhur midis viteve 1536 – 1571. Ky është një fakt i dokumëntuar,pasi në bazë të regjistrimit,në vitin 1536 Merturi kisht 32 shtëpi,ndërsa në vitin 1571 mbeti me 19 shtëpi,dhe në vitin 1591 me 16 shtëpi.64) Pra,gjatë 55 vjetëve ishin larguar nga Merturi gjysma e popullsisë. Pothuaj të njejtën gjë pohon F.Nopçe kur thotë: “Vendosja e merturësve në Shtreziqe (Brisë) ka ndodhur midis viteve 1550 – 1590”.65) Se merturësit e larguar për në anën e djathtë të Drinit u vendosën për hërë të parë në Brisë me banim të përkohëshëm apo të përhershëm, kjo mbetet e pa qartë,pasi fshati Brisë nuk përmendet në dokumenta që nga viti 1628 e deri në vitin 1775.66) Popullsia e shpërngulur nga Merturi i Gurit u vendos kryesisht në fshatra të formuar më parë, në anën e djathtë të Drinit (Krahina e Pultit). Një pjesë më e vogël kaloi malin e Çlumit dhe formoi fshatin Aprripë e Gurit. Ndërsa pjesa tjetër qëndroi në vendin e vet,Mertur të Gurit. Merturësit që u vendosën në anën e djathtë të Drinit, me kalimin e viteve u shumuan dhe u zgjeruan,duke formuar një njësi të re fisnore e teritoriale të vetëqeverisur që trashegoi emrin e fisit që i përkiste,Mertur. Në të dy anët e lumit kishte dy njësi me emrin “Mertur” dhe që i përkisnin të njejtit fis. Për t’i dalluar nga njeri-tjetri Merturi i anës së majtë të Drinit është quajtur Merturi i Gurit. Për shkak të Drinit që e ndante nga dy pjesët tjera të fisit,Merturi,në pikëpamje organizative vetëqeverisëse i kishte çeshtjet e ndara nga Merturi i Gurit dhe Aprripa e Gurit. Merturi formoi bajrakun e vet dhe fitoi autoritetin e fisit,në kuptimin e njësisë së vetëqeverisur. Merturi i Gurit iu bashkua bajrakut të Bugjonit,ndërsa Aprripa e Gurit atij të Thaçit.67) Merturi,si asnjë fis tjetër në malesitë tona,i copëzuar në disa pjesë,larg njera – tjetrës dhe me veshtirësi të mëdha komunikuese e bashkëpunuese për shkak të brierave të forta gjeografike që i ndajnë,ka arritur që të ruaj e të respektojë prej qindra vjetësh lidhjet farefisnore. Merturi, Aprripa e Gurit dhe Merturi i Gurit, nuk kan bërë asnje lidhje martesore midis tyre. Ata edhe sot vazhdojnë të festojnë Zojën e Merturit (Të lemtë e Zojës) më 8 shtator të çdo viti,si festën tradicionale të fisit Mertur. Tani le të ndalemi më hollësisht tek Merturi,në veri të Drinit,që është objekti kryesor i punës sonë. Merturi përbëhet nga fshatrat: Brisë,Salcë,Palç,Bëtoshë,Shëngjergj,Mulaj,Tetaj dhe Rajë. Shtrihet në formë gjysëmharku që fillon në veriprendim me kurrizin malor,maj e Ershellit – qafa e Agrit,Kunora,Shtreziqe,që e kufizon me Shalën,Shoshin e Toplanën. Vazhdon gjatë brigjeve të Drinit në drejtim të lindjes deri në Rajë,për t’u ngjitur nga Raja në malin e Kores e qafë të Kolçit,ku ndahet me Geghysen e Krasniqe dhe përfundon në Mulaj,kufi me lagjen Kuq të Curraj të Epërm. Ky brez i harkuar fshatrash rrethon pothuaj në të tre anët fisin Nikaj,duke formuar së bashku krahinën e Nikaj - Merturit.Burimet dokumentare tregojnë se shumica e fshatrave të Merturit ishin formuar deri në shek. e XV,përpara ardhjes së merturësve në to. Në defterët kadastralë osmanë të Sanxhakut të Shkodrës të viteve 1485,1582,dhe Rumelisë për vitet 1529 – 36, dalin të rradhitur midis Krasniqes dhe Prashtës (Brashtës) fshatrat: Mllaka (Blaka-Bjakja) me 8 zjarre në vitin 1485,Noranja (Ranja-Raja) me 25 zjarre,Betuçi (Bëtosh) me 13 zjarre, Maleçi(Palç) me 5 zjarre,Salça (Salca) me10 zjarre dhe Brisha (Brisa) me 10 zjarre.68) Banorët që i formuan dhe i banuan këto fshatra, përpara se të vinin merturësit, ishin të kombësisë shqiptare dhe të besimit të krishterë. Pothuaj të gjithë kryefamiljarët e 71 shtëpive të këtyre fshatrave mbanin emra tipik shqiptar.69) Këta banorë kan lënë prapa mjaft toponime e dëshmi matëriale,kryesisht rrënoja kishash e varreza për të cilat banorët e sotëm merturës thonë se nuk u përkasin fisit të tyre. Në Rajë deri në vitet 1960 – 70 janë ruajtur rrënojate 7 kishave. Njëra prej tyre ajo e Ançitit,rreth 500 m në lindje të kalasë së Lekës,që i përkiste shek.XIV – XV,ka patur një këmbonare 5.2 m të lartë që është ruajtur deri në vitin 1980.70) Në bjeshkët e salcës,afër Karronit,njihet toponimi kisha e Shnaprendes,ku janë gjetur fragmente muresh,punuar me gurë të gdhendur e llaç gëlqerje,që i përkisnin shëk. XV – XVI.71)Deri në vitin 1964 janë ruajtur në Brisë muret anësore të kishës së Shenkollit. Një ndërtim ky paraturk dhe mjaft i veçantë i ndërtuar me gurë rrasor. Ka paturnjë derë me qemer të harkuar mbi të cilin dalloheshin vijëzime dhe nje kryq.Kjo sherbente si kapelë e varrezave të fshatit.72) Në Tetaj,janë ruajtur gjurmë muresh të kishës së Shnaprendes dhe varrezat pranë saj,që i përkasin Blakes së hershme. Nga dokumentët dhe tradita gojore del se,pothuaj tëgjithë fshatrat që sot përbëjnë Merturin kan patur vazhdimësi banimi nga formimi e deri në ditët e sotme. Në fillim i përkisnin Pultit,më pas Principatës së Pjetërspanit dhe pas shkatërrimit të saj përsëri njihen si pjesë e Pultit tëEpërm. Këto u përfshinë në fisin e Merturit, kur merturësit e adrdhur ishin bërë banorë të përhershëm dhe zotërueë të tyre.
    Dihet se çdo fshat ka historine e vet të formimit dhe të zhvillimit,po,meqenëse do të falasim kryesisht për fisin e Merturit,këto fshatra do të shihen në kuadrin e këtij fisi. Po veçojmë vetëm fshatin “Martish”,që del i regjidtruar në trevën e Pjetërspanëve në vitin 1485 me 7 zjarre73),si dhe katundin “Mortur”që del i shenuar në relacionin e Don Vincentit ,në vitin 1628,afër me Bjake dhe Bëtoshë.74) Për emrin Martish,gjuhtari Kolë Luka gjykon se mund të jetë Morturi që del i shenuar në vitin 1628.75) Ndërsa S. Pulaha thotë se “emri Martish është vështirë të unifikohët me Morturin”.76) Gjykuar nga rradhitja në defter,ku Martish shënohët pranë fshatrave Plan,Pog,Xhan,Kir,themi se nuk ka lidhje midis tyre. Martishi ishte shumë larg trevës ku u formua Merturi në kohë dhe në hapësirë, prandaj nuk mundë të identifikohet me Merturin – fis. Është argumentuar se Merturi me banorë e me emer e ka prejardhjen nga Merturi i Gurit,dhe jo nga pjesa jugore e Pultit ku shtrihej fashati Martish.Prej këtej del se,Morturi (Merturi) që përmendet në dokumentat e vitit 1628 – 1795 pranë Bjakes dhe Bëtoshës ishte një nga ngulimet e banorve mërturës të ardhur nga Merturi i Gurit,në periudhën 1550 – 1590. Ky ishte fshat i përbërë vetëm nga banorë merturës, prandaj i dhen emrin e fisit tyre “Mertur” që dokumentët e shenojnë “Mortur”. Meqenëse merturësit ishin vendosur edhe në fshatrat tjera,Morturi nuk mundë të merret si zanafilla e fisit Mertur,siç ishte rasti i fshatit – fis Nikaj që u bë zanafilla e gjithë fisit Nikaj. Ky nga një fshat – fis ,u rrit dhe u teritorializua në afërsi të vendformimit,duke formuar fshatra tjera që morën emrat e kryeparve të vëllazërive si Gjonpepaj,Peraj etj. Në Nikaj fillimisht uniteti teritorial administrativ përputhej me unitetin fisnor,i cili më pas nuk mbeti plotësisht i tillë. Ndryshe ndodhi me Merturin. Merturësit u shtrinë jashtë dhe larg krahinës së vendformimit fillestar,kryesisht në fshatra të formuar më parë. Për këtë arësye,në Mertur ka patur shtresëzim e bashkjetesë popullsie më të gjatë,midis merturësve të ardhur dhe vendasve që nuk kishin lidhje gjaku me merturësit. Këtu shumica e fshatrave nuk përbënin unitete të pastra fisnore,prandaj nuk morën emrat e kryeparve të vëllazërive të Merturit,por ruajtën emrat e vjetër që kishin patur. Vetëm Tetajt dhe Mulajt morën emrat e kryeparve. Kjo dukuri e vështirëson pasqyrimin e gjendjes demografike të vëllazërive,por jo shtrirjen teritoriale të tyre. Në traditën gojore thuhet se Lëkë Pogu,Ati i parë i fisit Merturit kishte 5 djem: Bibë Leka (i madhi),Mark Leka,Ndre Leka,Pec Leka dhe Tetë Leka. Prej këtyre u formuan vëllazëritë e mëdha,5 këmbët (degët) e këtij fisi: Biblekaj,Marlekaj,Nderlekaj,Peclekaj dhe Tetlekaj. Në Salcë dhe Brisë u teritorializuan 4 djemtë e Ndre Markut,nipat e Mark Lekë Pogut: Deda,Leka, Vuka dhe Kola. Nga tre të parët që u vendosën në Salcë rrjedhin vëllazëritë Dedndreaj,Lekndereaj dhe Vukaj (Vukndereaj,të cilat bashkë me vëllazëritë Prognaj dhe Steaj përbëjnë fshatin Salcë. Nga Kolë Ndreu dhe Mëhill Preka (Mehill – Prekë – Vatë – Mark – Leka )77) që ishin vendosur në Brisë,rrjedhin vëllazëritë e këtij fshati: Kolndreaj dhe Mëhillaj. E para përbën shumicën e popullsisë së Brisës. Salca është shëmbulli tipik ku u realizua mbishtresëzimi dhe bashkëjetesa më e gjatë e më e mirë midis vëllazërivë të fisit Mertur me vëllazëritë Prognaj e Steaj të cilët nuk ishin të një gjaku me të parat. Thuhet se Prognajt u gjetën në Salcë,të ardhur kohë më parë nga Qyqeshi i Berishës. Ndërsa,për Steajt gojdhëna thotë se,rrjedhin nga një nip bije,ndaj është vëllazëri e mbathur fisit. Por ka më të ngjarë së Steajt të jenë pasardhes të popullsisë së hershme të Salcës. Në vitin 1671 Salca kishte 7 shtëpi me 83 banorë dhithsejt.78) Një pjesë e pasardhësve të Ndre Lekës u teritorializuan në fshatin Palç. Pjesa tjetër qëndruan në Aprripë të Gurit dhe Mertur të Gurit. Kryepari vëllazërivë të Palçit ishte Mel Geci, stërnip i Ndre Lekë Pogut. (Mel – Gec – Ndre – Lekë – Pogu ). Nga shumimi i barqeve të tre djemve të Mel Gecit: Palit,Gjolit dhe Malës u formuan tri vëllazëritë kryesore të Palçit: Palmelaj, Gjomelaj dhe Malmelaj. Nga 10 shtëpi dhe 83 frymë që kishte Palçi në vitin 1634,79) arriti në 26 shtëpi dhe 150 frymë në vitin 1671.80) Kjo shtesë popullsie çoi në zgjerimin e fshatit në drejtim të lindjes dhe të prendimit,duke formuar respektivisht lagjet Kotec dhe Leri,gjeografikisht disi të shkëputura nga Palçi, por të një fisi me të. Për Kotecin,i cili përmendet për herë të parë në vitin 1671,thuhet se e mori emrin nga nga një palçuar i quajtur Kotel. Në vitin 1671,Salca,Brisa,Palçi dhe Koteci kishin 54 shtëpi gjithsejt dhe 614 frymë që i përkisnin fisit Mertur.81)
    Pjesa lindore e Merturit që shtrihet në shpatet e malit Kore e Merturit deri në kohët e vona është thirur Bjake,nga se fshatrat Shëngjergj,Tetaj e Bëtoshë ishin vendosur pranë ose në teritorin e Bjakes së hershme të Pultit të Epërm.
    Në traditën gojore thuhet se,pasardhësit e tre djemve të Lekë Pogut: Bibë Leka,Pec Leka dhe Tetë Leka u teritorializuan në fshatrat Bëtoshë,Shëngjergj,Tetaj,Rajë dhe Mulaj. Nga dokumenti i vitit 1628,për të cilin kemi folur më sipër,del se,në këtë zonë,diku midis Bëtoshës dhe Bjakes,ishte formuar fshati Mertur (Mortur-sipas dokumentit). Vendodhjen e tij e përcakton më qartë F.Onufri ,në vitin 1768,i cili kur flet për famullinë e Rajës thotë se,ndër dy fshatra që shkojnë me këtë famulli janë “Merturi dhe Bëtoshi,larg dy a tre orë prej Rajës së Pultit”.82)Këtej del e kuptueshme se Morturi i vitit 1628 vazhdoi të njihej me të njejtin emër edhe në vitin 1768,dhe se ai shtrihej midis Bëtoshës e Tetajt të sotëm. Më sakt,në teritorin e Shëngjergjit të sotëm. Ruajtja e emrit Mertur për një kohë kaq të gjatë tregon se në atë fshat që ish formuar rishtaz nga merturësit qen grumbulluar vetëm merturës,të cilët i kishin dhënë fshatit emrin e fisit të vet. Këta merturës nuk mundë të ishin të tjerë veçse pasardhësit e Bibë,Pec dhe Tetë Lekës. Shumimi i barqeve dhe rritja e popullsisë së këtij fshati,çoi në zgjerimin e hapësirës së banuar prej tyre në drejtim të Bjakes, Bëtoshës,Ançitit dhe Rajës.Në fshatin Mertur që më vonë mori emrin e pajtorit “Shëngjergj”,qëndruan pjesa më e madhe e pasardhësve të Bibë Lekë Pogut,i cili kishte tre djem: Mengj Biba,Pepë Biba dhe Kolë Biba. Prej dy djemëve të Mengjës,Nikë dhe Preç Mengjës rrjedhin vëllazëritë e Shëngjergjit: Nikmengjaj dhe Kolpreçaj. Nga 4 djemtë e Nikë Mengjës:Vatë,Pjetër,Dedë dhe Vukë u formuan 4 vëllazëri tjera më të vogla: Vatnikaj,Pjetërnikaj,Dednikaj dhe Vukaj (Vuknikaj). Po në Shëngjergj u formua vëllazëria Mulaj,që rrjedh nga Mulë Pep Biba,vëlla më Kolë Pepën. Një pjesë e Mulajt qëndruan në Shëngjrgj,ndërsa pjesa tjetër u çvendos në drejtim të veriprendimit dhe formoi fshatin Mulaj. Në Bëtoshë u vendosën tre nipat e Pec Lekë Pogut: Pjetëri,Marku dhe Buça. Prej këtyre u formuan vëllazëritë kryesore që përbëjnë Bëtoshën: Pjetërgjokajt,Markgjokaj dhe Buçgjokaj. Me këto vëllazëri,në Bëtoshë ka bashkjetuar në harmoni prej qindra vjetësh dhë vëllazëria Ukcamaj që s’ka lidhje gjaku me to. Shumica e pasardhësve të Tetë Lekë Pogut,pasi u larguan nga ish fshati Mertur (Shëngjergji sot) u vendosën me banim në Bjaken e herëshme,ku bashkjetuan gjatë me bjakçorët. Në vitin 1634,fshati Bjake kishte 20 shtëpi e 230 frymë.83) Në vitin 1638,- siç thotë F.Bardhi,”kishte kishën famulltare dhe me prift që i i sherbente dhe Gashit”.84) Pas largimit të bjakçorve,midis viteve 1768 – 1770,85) fshati mori emrin Tetaj,nga Tetë Leka. Vëllazëritë kryesore që rrjedhin prej tij janë: Gjoklaj,Rrucaj dhe Markaj. Ndërsa vëllazëria Qehajaj e këtij fshat e ka perjardhjen nga Kolë Bibë Leka. Qehajaj është emër vendi dhe jo i Atit të parë të kësaj vëllazërie. Raja,një nga fshatrat më të vjetra të Merturit,me kalanë e Lekës dhe kishen e Ançitit,që i përkasin kohës së Pjetërspanëve,në vitin 1485 njihej me emrin Noranja dhe kishte 25 zjarre.86)
    Gjatë shek. XVI – XVIII ndahej në dy qendra të banuara: Raja dhe Ançiti,secila fshat më vete. Në vitin 1634 Raja kishte 10 shtëpi,ndërsa Ançiti 20 shtëpi dhe 200 frymë. Me 1671 raja mbeti me 8 shtëpi e 70 frymë,ndërsa Ançiti kishte 12 shtëpi e 120 frymë.87) Tradita gojore thotë se merturësit që populluan Ançitin dhe Rajën kishin ardhur nga Shëngjergji dhe Tetajt,pas vitit 1671,kur ishin shpërngulur prej andej banorët e mëparshëm që i përkisnin fisit Gash.Pranë Raje ka disa toponime që lidhen me Gashin si Prroni i Gashit,Pusterri nen Gash etj. Të parët që u vendosën me banim në Rajë ishin Ramë Pepa dhe Prekë Pepa,prej të cilëve rrjedhin vëllazëritë: Rampepaj dhe Prekpepaj. Prej këtyre u formuan vëllazërit tjera më të vogla që përbëjnë Rajën e sotme: Ramaj,Pepkolaj,Kukaj,Markokaj, Kurprekaj,Maklekaj etj.Në vitin 1957,fshati Rajë mori zyrtarisht emrin Breglumi.88)Të dhenat dokumentare dhe tradita gojore mbi gjenealogjinë e vëllazërive që përbëjnë Merturin tregojnë se,deri në fundin e shek.XVIII,merturësit ishin bërë popullsi dominuese në të gjithë fshatrat e tij. Pra në Pultin e Epërm, ngjitur me Nikaj,u formua një tjetër njësi e vetëqeverisur në bazë të të drejtës zakonore,fisi e bajraku i Merturit. Megjithë copëzimin gjeografik që paraqet trekëndëshi mërturës Brisë – Rajë – Mulaj,rreth 6-7 orë rrugë këmbësore larg njëri – tjetrit,mërturësit kan ruajtur të fortë kujtesën mbi lidhjet e gjakut midis tyre. Shprehje e bindjes mbi lidhjet e gjakut është mungesa e lidhjeve martesore brenda fisit Mertur. Nga vështrimi i të dhënave dokumentare mbi gjendjen demografike të Merturit del se,nga gjysma e shek. XIX e këtej ky fis ka patur një rritje mjaft të vogël të popullsisë. Në vitin 1867,Merturi kishte 240 shtëpi me 2150 banorë.89) Njëqint vjet më vonë,në vitin1964,kishte 271 shtëpi dhe 2008 banorë. Ndërsa në vitin 1990 kishte 589 ekonomi (shtëpi-familje) dhe 2300 banorë.90) Për 150 vjet vetëm 150 banorë shtesë popullsie!! Lidhur me këtë tregues tepër të veçantë,gjykojmë se kjo gjëndje demografike është pasojë e shpërnguljeve të herëpasherëshme të merturësve,dhe jo mungesë vitaliteti i këtij fisi. Sipërfaqja tepër e kufizuar e tokës së punueshme dhe e bjeshkëve,veçanarisht mungesa e burimeve ujore për vaditjen e tokës bujqësore,në Brisë,Palç,Tetaj,Bëtoshë etj. i detyroi merturësit që të të largohen për të mbijetuar në trevat tjera më pjellore,brenda hapësirës së banuar nga shqiptarët. Degët e “ndërprera” ose pak të zhvilluara të pemës gjenealogjike të fisit,siç është rasti i asaj të Kolë Bibë Lekës,Buç Mengjës,Ukë Preç Mengjës, Kolë Preçit,Kolë Pepë Bibës etj.,tregojnë se pasardhësit e tyre janë larguar nga krahina. Edhe në gjysmën e dytë të shek. XX,një numër jo i vogël familjesh u larguan nga Merturi dhe u vendosën me banim në Cernicë,Bukovë (Llugaj), etj,brenda rrethit të Tropojës. Gjithsesi shumica e banorve të fisit Merturit kan qëndruar në trojet e gjyshërve të vet,që nga shek. XVI e deri në ditët e sotme.
    Fisi i Merturit u formua,u rrit , u bë i njohur dhe bashkjetoi në fqinjësi e mirkuptim të admirueshëm me fiset e bajraqet tjera të malësisë,veçanarisht me Nikajt,të cilët ishin fqinjtë,miqtë dhe bashkëluftëtarët më të afërt të Merturit. Të dy fiset sëbashku formuan krahinën e Nikaj – Merturit,të njohur në historinë e Pultit dhe të Malësisë së Gjakovës. Në vitët 1990 – 2000,duke përfituar nga e drejta për lëvizjen e lrë të popullsisë,merturësit si shumë fise të tjera të veriut,u zhvendosën më masivisht se kurrë,në drejtim të Tiranës,Lezhës,Shkodrës,Krujës,Durrësit etj. Në kërkim të një jete më të mirë,shumë merturës u larguan nga Shqipëria,për të punuar e jetuar në vende tjera që nga Europa,Amerika e deri në Australinë e largët.

      Current date/time is Tue Jan 16, 2018 9:14 pm